Ç’është pikëçuditja? Si përdoret ajo?

Ç’është pikëçuditja? Si përdoret ajo?
Një ndjekës i faqes sonë na pyet se ç’është pikëçuditja dhe ku përdoret ajo. Përgjigjja jonë është kjo:
Pikëçuditja shënon mbarimin e një fjalie të thjeshtë ose të përbërë që shqiptohet me intonacion thirrmor. Pas pikëçuditjes fjalia fillon me shkronjë të madhe.
Pikëçuditja vihet në këto raste: 
1. Në fund të fjalive thirrmore (që shprehin zakonisht dëshirë, habi, porosi apo urdhër). Për shembull:
- Sa qenke rritur, more djalë! - Mos më prek! Hesht!
2. Në fund të një fjalie të përbërë me nënrenditje, ku pjesa kryesore ka karakter thirrmor:
- Peshoje fjalën, para se ta lëshosh! - Fol më fort, që të dëgjojmë edhe ne!
3. Vihet pikëçuditje pas pikëpyetjes në fund të një fjalie pyetëse retorike.
- Edhe ti je zemëruar me mua?! - Pra, ende nuk ke gjetur një mik?!
4. Pas një thirrori ose një pasthirrme të përdorur më vete.
- Vini re! Vini re! – buçiti altoparlanti i kampit. – Tyt! – shfryu plaka.
5. Vihet pikëçuditje edhe pas një tingullimitimi që përdoret më vete.
- Ha - ha – ha! – qeshi ai me të madhe.
6. Mund të përdoren edhe dy ose më shumë pikëçuditje, kur duam të vëmë në dukje karakterin e theksuar thirrmor të një fjalie.
- Ah, sikur të ndodhte kështu!!! Sikur të ishte e vërtetë!!
-Këshilluesi gjuhësor

Comments